Humvee

Foto EKSKLUZIVE: Këto janë 24 blindat nga Amerika që kanë arritur në Kosovë për Ushtrinë

Ushtria e Kosovës që do të zyrtarizohet më 14 dhjetor, pas votimit të tri ligjeve që FSK-në e shndërrojnë në Forcë të Armatosur, tashmë ka filluar të pajiset edhe me automjete të rënda ushtarake.

Ballkani.info e ka siguruar një fotografi ekskluzive të automjeteve ushtarake amerikane që tashmë kanë arritur në Prishtinë.

Në këtë fotografi shihen dhjetëra mjete të blinduara amerikane të tipit High Mobility Multipurpose Wheeled Vehicle (HMMWV).

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala nuk e ka konfirmuar këtë gjë, duke thënë se nuk është në punë.

Sipas burimeve të Ballkani.info, në FSK kanë arritur mbrëmë 24 automjete të blinduara Humvee.

Këto automjete të rënda ushtarake janë donacion nga Ushtria Amerikane.

“Kosova do t’i ketë gjithsej këtë vit 51 blinda amerikane Humvee”, thonë burimet.

Prodhimi i këtij mjeti ka nisur në vitin 1984 dhe deri më sot janë prodhuar mbi 281.000 njësi.

Çmimi për njësi kap vlerën e 220.000 dollarëve.

Për shkak të suksesit që ka patur ky mjet luftarak, ai ka hyrë në linjën e prodhimit në vitet ’90 nën markën e njohur Hummer.

Mediat kishin raportuar edhe më herët se disa kontigjentë me pajisje ushtarake do të arrijnë në Kosovë nga Amerika.

Në anën tjetër, kryeparlamentari, Kadri Veseli po qëndron në SHBA për vizitë disaditëshe. Ai fillimisht e ka vizituar shtetin e Iowas dhe Gardën Kombëtare Amerikane në këtë shtet.

Veseli ka parë nga afër makineritë e rënda ushtarake të cilat së shpejti do të sillen në Kosovë. /Ballkani.info/