FOTO/ E tmerrshme: Komandantët australianë urdhëruan ushtarët e rinj që të vrasin 39 civilë afganë “për sefte”

Sipas një hetimi katërvjeçar, forcat speciale të Australisë dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e 39 të burgosurve dhe civilëve të paarmatosur në Afganistan. Raportohet se komandantët i kanë detyruar ushtarët e rinj që t’i vrasin personat e pambrojtur për t’i përgatitur ata për luftë.

Si rrjedhojë e këtyre gjetjeve, autoritetet australiane thanë se 19 ushtarë dhe ish-ushtarë do t’i nënshtrohen ndjekjes ligjore për dyshimet se kanë vrarë 39 afganë lokalë, shkruan Reuters

Duke i bërë të ditura hollësitë e një hetimi të shumëpritur për sjelljen e forcave speciale australiane në Afganistan nga viti 2005 deri më 2016, gjenerali Angus John Campbell tha se ka informata të besueshme për 39 vrasje të paligjshme nga 25 pjesëtarë të forcave speciale në 23 incidente të ndryshme.

Të gjitha këto vrasje kanë ndodhur jashtë zonës së betejave, bëri të ditur gjenerali Campbell. “Këto gjetje ngrisin dyshime për shkeljet më serioze të sjelljes ushtarake dhe vlerave profesionale. Vrasja e paligjshme e civilëve dhe të burgosurve kurrë nuk është e pranueshme”, shtoi ai.

Në raportin hetues thuhet se shumica e personave të vrarë, në mesin e të cilëve kishte të burgosur, fermerë dhe banorë lokalë, ishin të zënë rob, prandaj kanë qenë të mbrojtur sipas ligjit ndërkombëtar.

“Ka informata të besueshme se ushtarëve të rinj u është kërkuar nga komandantët që t’i qëllojnë të burgosurit me qëllim që ta realizojnë vrasjen e parë, në një praktikë të njohur si gjakosje”, theksohet në këtë raport.