Qumështi i fistikut

Formula unike e shëndetit me qumësht, hurma arabie dhe fistikë

Jemi mësuar së fundmi të shijojmë dhe vlerësojmë qumështin e bajameve, ose qumështin e arrorëve të tjerë si baza ideale për një sërë lëngjesh plot vlera dhe ushqyes.

Teksa jemi në mesin e një revolucioni të qumështit me bazë arrore, AgroWeb.org dëshiron t’ju prezantojë me qumështin e fistikut i pasur ma kalium, magnez, vitamina A dhe K, duke mos lënë pa përmendur dozën e mirë të proteinave.

Qumështin e fistikut e gjejmë në katër shije, duke nisur që nga ajo klasikja me aromë vanilje e deri tek ajo me luleshtrydhe, të gjitha shumë herë më të mira dhe më të shëndetshme se variantet tregtare që gjejmë nëpër raftet e marketeve.

Qumështi i fistikut me të gjithë shijet shtesë të tij është shumë i shijshëm, po aq i shijshëm sa çdo qumësht arror që mund të keni pirë deri tani. Fistikët janë natyralisht të ëmbël me pak nuancë të pikantes.

Qumështi kremoz i fistikut është natyralisht i ëmbël dhe nuk përmban asgjë artificiale. Ai ëmbëlsohet me hurma Arabie dhe me ushqime natyrale siç janë vanilja, kakao, luleshtrydhet e freskëta apo kafeja ekspres.

AgroWeb.org do t’ju tregojë formulën e përgatitjes së qumështit të fistikut në kushtet e shtëpisë. Mjafton që fistikët t’i mbani në ujë gjatë gjithë natës, t’i përzieni në një mikser ose sipas preferencës t’i ruani të paprekur për një ndjesi më të plotë.

Përbërësit:

4 gota ujë
1 gotë uji plot me fistikë pa lëvozhgë (të pakriposur)
Gjysmë gote me hurma Arabie pa bërthamë
Bishtaja e vaniljes e prerë në 5 centimetra ose një lugë vanilje pluhur
Një majë luge çaji me kanellë
Shumë pak kripë
Përgatitja:
Zhytini fistikët e qëruar në ujë dhe mbajini për gjashtë orë. Shpëlajini dhe kullojini. Hidhini në një mikser së bashku me 4 gotat e ujit, hurmat e Arabisë, vaniljen, kanellën dhe kripën.

Përziejini së bashku për 3 deri në 5 minuta dhe më pas hidheni në një napë ose kullesë, lëreni të kullojë dhe vendoseni në një enë ose shishe të mbyllur.

Qumështi i fistikut shijon më shumë kur është i ftohtë. Ruajeni në frigorifer për disa ditë. Përpara përdorimit tundeni shishen që lëngu të jetë i njëtrajtshëm. Kjo sasi vlen për katër gota./AgroWeb.org