Kryetari i LDK-së Isa Mustafa nuk pret që bisedimet për arritjen e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen të zgjasin gjashtë muaj sikurse në vitin 2014, por paralajmëroi se në rast të dështimit të marrëveshjes, atëherë si parti do të shkojnë në opozitë.
Ai këto komente i bëri pas takimit të Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, ku është biseduar lidhur me ecurinë e bisedimeve për formimin e qeverisë së re, të cilat janë vënë në ngërç për shkak mos pajtimeve për postin e presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tash kanë zhvilluar 11 takime, por pa mundur të arrijnë marrëveshjen finale, pavarësisht se këto dy parti, që dolën të para në zgjedhjet e 6 tetorit, thonë se kanë përafrim të qëndrimeve.
Kreu i LDK-së Isa Mustafa tha se LDK është e përkushtuar që të arrijë një koalicion për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se do të vazhdojë t’i përgjigjet ftesave së VV-së për takimet e ardhshme.
“LDK vlerëson se ky koalicion nuk duhet të shihet si një koalicion i rivalitetit, por si një koalicion i partneritetit, i cili do të jetë i destinuar për të bërë ndryshime të domosdoshme në qeverisjen më të mirë të vendit dhe për t’iu ofruar perspektivë zhvillimore dhe shteti ligjor të Kosovës. Këshilli ishte i bindur se LDK-ja duhet në këtë marrëveshje të vlerësohet karshi përkrahjes që ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit, qoftë në ndarjen e përgjegjësive me VV, qoftë edhe në programin qeverisës i cili është harmonizuar… Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së VV për takimet e ardhshme. Vlerësojmë nëse ka vullnet politik, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat dhe këto pozita të jenë në harmoni me koalicionin tonë, ose tetë vjet më vonë dhe assesi jo si koalicion që do të sfidohet nga momente të caktuara si nga zgjedhja e presidentit”, tha Mustafa.
I pyetur se a ka presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes, kryetari Mustafa tha se nuk është takuar me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, por me ambasadorët e QUINT-it nga të cilët ka kërkuar ndihmën e tyre në procesin e arritjes së marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës.
Ai tha nesër do të takohet me të dërguarin e Merkel nga CDU për të biseduar lidhur me negociatat për arritjen e koalicionit qeverisës.







