Fordi me vështirësi prezanton veturën e re elektrike

Vetura elektrike Mustang Mach E është prezantuar nga gjiganti amerikan Ford në Los Angeles, por për prodhuesin e veturave, modeli i ri përfaqëson më shumë se një mjet lëvizës.

Modeli Mach E për disa vjet ka shërbyer si test i vështirë për rekonstruktimin e kompanisë që ka marrë vërejtje të shumta për problemet në kualitet dhe lansimin e vështirë të modelit sportiv, Ford Ekplorer.

Për aktorin Idris Elba që para se të bëhej i famshëm, punoi në fabrikën e veturave të Fordit në Angli, trashëgimia e Mustangut dhe përqendrimi i kompanisë në veturat elektrike, i dha kënaqësi të veçantë në prezantim.

“Jam i lidhur me emrin e kompanisë, por jam i lumtur që Fordi po hyn në zonën e veturave elektrike”, ka thënë Elba gjatë prezantimit.

Për shefin e kompanisë, Bill Ford Junior, modeli Mustang Mach E, ka bërë bashkë dy qëllime që binin në konflikt me njëra-tjetrën: Dëshirën e tij që Fordi të jetë lider në veturat elektrike dhe që deri në vitin 2030, kompania të mos prodhojë vetura që emetojnë karbon dhe e dyta që Mustangu të mbajë motorin e tij të zakonshëm V-8, transmeton KTV.

Kompania amerikane pritet të shpenzojë 11.5 miliardë dollarë në krijimin e veturave elektrike dhe hibride deri në vitin 2022.

Ani pse kompanitë e mëdha kanë dështuar të kenë fitime nga veturat elektrike, Fordi ka deklaruar se modeli i ri do të jetë fitimprurës nga fillimi.

Modeli i ri pritet të sfidojë edhe Teslan, kompaninë që tashmë është duke e bërë gati një model elektrik.

E shefi i kësaj kompanie, Elon Musk, tha se është i lumtur që edhe gjigantët si Fordi, po mendojnë për të ardhmen.

Mustangu i ri nuk ka humbur pamjen origjinale, por në brendësi ka një bateri të re që me një të mbushur mund të lëvizë deri në 483 kilometra.