Forcat ukrainase pësojnë “humbje të rënda” në Bakhmut dhe Soledar

Sipas një këshilltari presidencial ukrainas, sulmet e rënda ruse në qytetet e Ukrainës lindore, Bakhmut dhe Soledar, “kanë erë dëshpërimi, që të kujton kamikazët”.

Oleksiy Arestovych tha kështu gjatë transmetimit të tij të drejtpërdrejtë në Feygin Live, një kanal pro-ukrainas, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa luftimet vazhdojnë në zonë, forcat ukrainase po përjetojnë humbje të rënda trupash, tha Arestovych, duke shtuar “[armiku] po humbet më shumë, sigurisht, por ne kemi humbje të rënda. Është një luftë shumë serioze.”

Bakhmut është bërë ndoshta pjesa më e kontestuar e vijës së frontit prej 1,300 kilometrash (800 milje) në Ukrainë dhe skena e disa prej luftimeve më të ashpra të luftës.

Rajoni i madh i Donetskut, ku ndodhen Bakhmut dhe Soledar, është mbajtur nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014 dhe është një nga katër rajonet ukrainase që Moska pretendon si territor rus.