Forcat azere futen në distriktin e dytë të dorëzuar nga Armenia

Forcat e Azerbajxhanit janë futur në distriktin e dytë nga tri distriktet që do të dorëzohen nga Armenia sipas marrëveshjes së paqes, e cila u dha fund luftimeve që zgjatën rreth gjashtë javë.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha të mërkurën se njësitet e ushtrisë azere kanë hyrë në distriktin Kalbacar, sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia që u nënshkrua më 10 nëntor.

Ky distrikt, që shtrihet mes Armenisë dhe Nagorno-Karabakut, fillimisht ishte planifikuar të dorëzohej më 15 nëntor, por afati u shtye nga Azerbajxhani për arsye humanitare, shkruan Free Europe.

“Puna inxhinierike është përfunduar për t’u siguruar lëvizja e njësive tona. Rrugët e vështira malore përgjatë vijës nga do të lëvizion trupat janë duke u pastruar nga minat dhe duke u përgatitur për përdorim”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Armenia u pajtua që t’i dorëzonte tri distrikte që shtrihen përreth Nagorno-Karabakut – Agdamin, Kalbacarin dhe Lachinin – pas gati tri dekadave të kontrollit.

Rajoni Agdam është marrë nën kontrollin e forcave azere më 20 nëntor, ndërsa rajoni Lachin do të merret nën kontroll më 1 dhjetor.

Besohet se mbi 2.000 persona, shumica ushtarë, janë vrarë gjatë luftimeve që shpërthyen më 27 shtator. Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht ka bërë thirrje për ndërprerje të dhunës dhe gjetje të një zgjidhjeje paqësore për një ndër konfliktet më të ndërlikuara në rajonin e Euroazisë.