Të gjithë kamionët që transportojnë mallra serbe po kthehen nga pika kufitare në Jarinë, bëjnë të ditur mediat serbe.
Në këtë pikë kufitare, që është në pjesën veriore, shihet qartë kolonë e gjatë e kamionëve dhe veturave.
Dogana e Kosovës që nga vendosja e taksës prej 100 për qind i ka kthyer 20 kamionë nga Serbia dhe Bosnja, ka thënë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, transmeton Ballkani.info.

Ai ka thënë për Ballkani.info se implementimi i taksës po bëhet në të gjitha pikat doganore të Kosovës dhe se gjithçka po shkon sipas planit.
Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim që ta rris taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës nga 10 në 100 për qind.

Reagime të ashpra ka edhe në Serbi edhe në Bosnje, megjithatë sipas kryeministrit Haradinaj, kjo taksë nuk do të hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën si shtet dhe si të tillë ta respektojë. /Ballkani.info/








