Fondacioni i miliarderit filantropist, George Soros, ka deklaruar se do t’i japë fund veprimtarisë së tyre në Turqi, pasi mediat turke ia kanë bërë të pamundur vazhdimin e punës, duke shkruar për dyshime të pabaza për punët dhe qëllimet e tyre.

Edhe presidenti turk, Erdogan, kishte deklaruar se Sorosi po përpiqet që t’i përçajë dhe t’i shkatërrojë kombet. Ai e fajësoi fondacionin se qëndron prapa protestave anti-qeveritare, të cilat ishin mbajtur në Stamboll në vitin 2013. 13 persona u arrestuan në Turqi javën e kaluar në lidhje me ato protesta. Ata akuzohen se e kanë përkrahur aktivistin tashmë të burgosur, Osman Kavala, në përpjekje për ta rrëzuar qeverinë përmes protestave masive.

“Personi që i financoi terroristët në incidentet e vitit 2013 tashmë ndodhet në burg. E kush qëndron prapa tij? Hebreu i famshëm hungarez, Sorosi. Ky njeri angazhon njerëz për t’i përçarë dhe për t’i shkatërruar kombet. Ai ka shumë para dhe i shpenzon ato në këtë mënyrë”, deklaroi Erdogani.

Fondacioni për Shoqëri të Hapur, i cili është pjesë e Sorosit, tha se do të aplikojë për çregjistrim dhe ndërprerje të aktiviteteve në Turqi sa më shpejt që është e mundur. Ata këmbëngulin se veprimtaria e tyre në Truqi ka qenë në përputhje me ligjet turke. Fondacioni “Soros” ka qenë cak i sulmeve të grupeve djathtiste në shumë vende të Evropës, shkruan “BBC”.