Fluturimi u realizua dy orë me vonesë, pasagjerët pritën në autobusin ku nuk respektoheshin masat antiCOVID

Fluturimi i djeshëm Prishtinë-Gjenevë, që pritej të realizohej në orën 18:10, u shtye për plotë dy orë.

Njoftimi i aeroportit sipas pasagjerëve ishte se nisja do të ndodhë në orën 19:35, gjë e cila përsëri nuk ndodhi.

Një lexues i Klankosova.tv në cilësinë e pasagjerit, në kushte anonimiteti tha se gjatë kësaj pritje nuk u është ofruar asgjë.

”Fluturimi është shty, por edhe përkundër kësaj nuk na është ofru asgjë, madje as nga një shishe ujë”, tha ai.

Ai tregoi se më pas për të arritur tek aeroplani, ishin bartur në një autobus në të cilin nuk po respektoheshin masat antiCOVID dhe aty qëndruan afër 20 minuta.

”Ka pas tollovi, nuk ka pas distancë dhe shumë prej pasagjerëve nuk bartnin as maskat, e përkundër kësaj nuk ka pas asnjë kontroll për këto shkelje”, shtoi ai.

Pasagjeri në fjalë tregoi se për realizimin e këtij fluturimi, po prisnin rreth 200 pasagjerë.

Ai tha se aeroplani u nis në orën 20:10, për dy orë me vonesë, për të cilën atyre nuk u është dhënë asnjë sqarim.

”Shumica prej pasagjerëve të nesërmen në mëngjes duhet të ishin në vendet e tyre të punës, e kjo po u rrezikohej për shkak të kësaj vonese”.

Tutje, ai tregoi se me një vonesë të tillë ishte përballur edhe në fund të muajit korrik, kur ishte nisur për në Kosovë, vonesa u shkaktua nga po e njëjta kompani fluturimesh.