“Fluturakja ishte dron i kohës sovjetike” – Dalin detaje të reja për shpërthimin që tronditi Zagrebin

Rrëzimi i fluturakes mbrëmë në Zagreb zgjoi interesim të madh publik në Kroaci mirëpo edhe jashtë saj.

Këtë mëngjes, Pavle Kalinic, ish-shefi i Zyrës së Situatave Emergjente të Zagrebit, e komentoi rastin, shkruan Index.hr.

“Unë nuk kam qenë aty, por sipas informacioneve që kam, është një dron i kohës sovjetike Tu-141, por nuk mund ta marrësh me siguri absolute. Shumë fat në këtë aksident është që nuk kemi të vdekur apo të lënduar”, tha ai.

“Është dëm material, por ne ishim me fat që nuk ndodhi kur kishte njerëz në Jarun, mund të kishte goditur një ndërtesë ose një shkollë. Duhet të jemi të gëzuar që kështu ndodhi,” tha Kaliniç.

“Unë shoh që mbrojtja jonë ajrore është e ngrirë”

Kalinic pyet gjithashtu se sa e papërgatitur është ushtria kroate kur diçka e tillë mund të kishte ndodhur.

“Dje mësova se shërbimi ushtarak në Kroaci nuk është hequr, por është ngrirë, dhe shoh që edhe mbrojtja ajrore jonë është e ngrirë. Kështu që droni u largua, erdhi në Zagreb, askush nuk e pa”, tha ai.

Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon, ai paralajmëron për gjendjen e strehimoreve.

Me fjalët e kryetarit të komunës së Zagrebit, Tomislav Tomašević se në Zagreb janë 1062 të tilla dhe se ato mbahen periodikisht, Kalinić tha se do të ishte më mirë që të gjithë ata që “nuk dinë asgjë për asgjë të heshtnin”.

“Gjithçka mund të ndodhë sepse e keni parë tani, kur kanë filluar të bëhen pyetje për strehimoret, as ne nuk kemi strehimore, të vjetrat nuk mirëmbahen, të rejat nuk po ndërtohen, kush është përgjegjës për këtë, sigurisht, askush nuk do ta hetojë”, shtoi ai.