Flet sa për të thënë diçka, Kurti përgjigjet për protestën e djeshme të VV-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se qeveria që ai udhëheq nuk inkurajon tubimet e grumbullimet e qytetarëve, një ditë pasi anëtarë të grupit “meKryeministrin” bënë “prova” për protesta duke respektuar masat e distancimit social për shkak të pandemisë.

Në konferencën për media pas mbledhjes për 100-ditëshin e Qeverisë, Kurti ka thënë se e kuptojnë nevojën për të protestuar.

“Ne nuk inkurajojmë tubimet e grumbullimet. Kërkojmë të respektohen të gjitha masat e Ministrisë së Shëndetësisë e udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë. E kuptojmë nevojën për të protestuar, e pranojmë si të drejtë esenciale e njerëzore për të protestuar dhe në këtë aspekt është e jona që vazhdimisht të bëjmë thirrje që qytetarët të jenë aktivë duke respektuar patjetër këto masat e distancës fizike të higjienës personale dhe të orarit prej 180 minutave në ditë që i është alokuar secilit qytetar”, ka deklaruar ai.

“Nuk mbështesim tubimet. Mund të kem mirëkuptim për nevojën e qytetarëve të pakënaqur që të shprehin pakënaqësinë e tyre. E kanë bërë edhe nga ballkonet e ndërtesave në mënyrë masive, por ne theksojmë që nuk mbështesim e nuk i inkurajojmë tubimet e qytetarëve tash kur jemi në minutat e fundit të ndeshjes me koronavirusin, por shyqyr edhe ata qytetarë që ishin këtu nuk qëndruan gjatë e ishin vetëm disa minuta. Nuk besoj se sot duhet të brengosemi nëse dikush dje ka infektuar dikë tjetër, jo vetëm sepse kishte respektim të distancës e kishin maska, por edhe qëndruan shkurt”, ka shtuar tutje Kurti.

Ai nuk ka komentuar nëse “prova” e djeshme ishte e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, parti të cilën e udhëheq.