Njëri nga importuesit më të mëdhenj në vend, njëherish edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka thënë se taksa prej 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia, nuk do të ndikojë në biznesin e tij.
Kelmendi për Ballkani.info ka thënë se ata kanë mundësi importi edhe nga vendet tjera dhe se nuk varen vetëm nga Serbia.
“Kemi shtetet alternative, ne nuk jemi të varur nga produktet e Serbisë, le t’i qesin masë edhe 1000%, neve nuk na shkakton asnjë dëm sepse kemi prezent alternativa në tregun e Kosovës” ka thënë Kelmendi.
Por Kelmendi ka shtuar se çmimet e produkteve të prodhuara në Kosovë do të rriten dukshëm.
“Po do të rriten të gjitha çmimet, por këtu është një defect i madh sepse të gjithë prodhuesit vendor që e kanë bazë materialin nga Serbia do t’i rrisin edhe ata çmimet sepse do të blejnë produkte më të shtrenjta dhe me kosto të produktit më të shtrenjtë do të ndikojnë edhe në çmimin e prodhimit të tyre dhe prodhuesit e tjerë të shteteve evropiane që kanë këto produkte do të jenë më atraktive sesa veç prodhimet vendore”, ka thënë ai.
Ai madje ka thënë se në kompaninë që ai udhëheq nuk do të ndikoj edhe nëse ndalet tërësisht importi.
“Nëse Qeveria është e gatshme mund të ndalet edhe importi por efekti i konsumit të qytetarëve duhet të orientohet në çmime më të larta. Ne mund të nxjerrim prodhim me një kosto dhe qëllimi është që ajo kosto të jetë më atraktivë që e kanë bazën materiale si rrogë, qytetarët i kanë rrogat e vogla dhe duhet me i’u përshtat”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se nga sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të rrisë në 100 për qind taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. /Ballkani.info/







