Serbi

Flet pronari i autobusit që u sulmua mbrëmë në Serbi

Mbrëmjen e së hënës, në Krushevc të Serbisë është sulmuar me gurë një autobus me udhëtarë kosovarë. E për këtë sulm, pronari i autobusit ka thënë për Express se është kryer nga huliganë dhe se kjo nuk është hera e parë që dikush nga kosovarët sulmohet nga serbët në atë rrugë.

Pasagjerët që ndodheshin në autobusin e kompanisë që po i çonte nga Kosova në Austri janë tronditur të hënën mbrëma, pasi autobusi është goditur me gurë nga disa serbë.

Një ndër pronarët e kompanisë “Festimi”, të cilëve u ka ndodhur rasti, ka thënë për Express se nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme material.

“Sulmi ka ndodhur rreth orës 22:20 minuta, nuk ka pasur të lënduar, vetëm xhami i autobusit është thyer. E kam kthyer atë autobus dhe e kam nisë tjetrin. Sulmi ka ndodhë veç pse jemi shqiptarë, ata që na sulmuan ishin huliganë, policia ka ardhur pas nja 20 minutash, edhe ata njëjtë kanë thënë, që janë huliganë. Kësi sulme u kanë ndodhur në vazhdimësi kolegëve të mi, provokime nga serbët ka vazhdimisht”, është shprehur ai.

E kjo nuk është hera e parë që autobusët me udhëtarë nga Kosova që kalojnë nëpër Serbi, sulmohen nga serbët, sulme të tilla ka pasur në vazhdimësi, duke shkaktuar pasiguri dhe frikë tek udhëtarët.

Ndërsa për rastin e mbrëmjes së kaluar, nuk kanë reaguar ende asnjë nga zyrtarët shtetërorë të Kosovës.