Flet njeriu që e ka parë dokumentin e Kurtit ku flet për “analfabetët”

Shkruan: Bledë Krasniqi

Planet se si të vijë në pushtet, së fundi po pretendohet se, Kryeministri Albin Kurti, si lider i Lëvizjes Vetëvendosje i kishte hartuar në një “dokument strategjik” qysh në vitin 2016. Kështu të paktën deklaroi para disa javësh gazetari kosovar Vehbi Kajtazi. Ai pretendon se e ka lexuar një dokument të shkruar nga Kurti pesë vite më parë, rreth strategjisë të cilën VV-ja duhet ta ndjek për të arritur në pushtet. Ekzistencën e një dokumenti të tillë, për Gazetën Online Reporteri.net, po e pohon edhe një ish-anëtar i njohur i Lëvizjes Vetëvendosje, që tash e një kohë ka dalë me qëndrime kundër partisë që qeverisë me vendin.

Gazetari Vehbi Kajtazi, në një intervistë televizive para dy javësh, foli për një “dokument strategjik” që thotë se i ka rënë ta lexojë, sipas tij të shkruar në vitin 2016 nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, rreth strategjisë të cilën Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ndjek për të arritur në pushtet.

Ai pretendoi se ky dokument, që në atë kohë iu ishte shpërndarë vetëm anëtarëve të ngushtë të VV-së, Kurti kishte shkruar se në Kosovë, 45% e popullsisë janë analfabet funksional dhe të njëjtit duhet të manipulohen me lajme të rreme, meqë sipas gazetarit Kajtazi, në dokument pohohet se qytetarët nuk janë nuk janë në gjendje ta dallojnë lajmin e vërtetë nga ai i rremë.

Dokumenti që i referohet Kajtazi, sipas tij, përveç nga disa anëtarëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, në atë kohë ishte parë e lexuar edhe nga dy ish-anëtarët e LVV-së, Zgjim Hyseni e Visar Ymeri. Ky i fundit ish-kryetar i Vetëvendosjes.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net edhe vetë Zgjim Hyseni.

Sot anëtar i PSD-së, dikur aktivist i shquar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se e ka lexuar një version të një dokumenti të tillë, ku sipas tij “flet për thashethemen si fenomen në një shoqëri me shkallë të lartë analfabetizmi funksional”.

“Bëhet fjalë për dokumentin mbi organizimin të cilin e ka shkruar Kurti. Versioni që e kam lexuar unë (nuk e di nëse ka tjetër) flet për thashethemen si fenomen në një shoqëri me shkallë të lartë analfabetizmi funksional. Flitet për rëndësinë e përshtatjes së propagandës në këtë nivel thjeshtësie, sepse ndryshe njerëzit nuk kuptuakan”, tregoi Hyseni në një bisedë për Reporteri.net.

Shton se në këtë dokument, sipas tij, vërehej qartë “një lloj ankthi për kontroll e pushtet”.

Sipas Hysenit, dokumenti është i formuar në atë mënyrë që gjithçka e shkruar në të vlen të sakrifikohet për pushtetin.

“Dokumenti në përgjithësi është një model bolshevik organizimi në të cilën vërehet qartë faza e kalimit nga themelimi e zhvillimi tek një lloj ankthi për kontroll e pushtet. Kjo fazë vërehet më së miri nga shkalla në të cilën arrin instrumentalizimimi. Secili mjet, secila metodë normalizohet, gjithçka brenda ose jashtë vlen të sakrifikohet për pushtetin deklarata e të cilit ka vulë shkencore dhe është triumf i historisë…”, ka thënë Hyseni.

Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar disa herë që për këtë dokument të bisedojë edhe me ish-kryetarin e LVV-së Visar Ymeri, por që i njëjti nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me këtë çështje, duke tentuar t’i ik kësaj teme.

“Jam i zënë”, ka thënë ai në një nga thirrjet e gazetares, teksa është pyetur se a mund të flas nesër për këtë temë.

“Po mundesh me thirr nesër”, ka thënë Ymeri, por që i njëjti në ditët në vazhdim nuk e ka hapur telefonin.

As nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë përgjigjur në interesimin e Gazetës Online Reporteri.net për të sqaruar në lidhje me ekzistencën edhe përmbajtjen e një dokumenti të tillë.

Në dokumentin të cilin gazetari Kajtazi pretendon se e ka parë, thotë se nuk është miratuar nga asnjëri anëtarë që i është dorëzuar. Ai ka shtuar se ajo çfarë e ka shqetësuar më shumë atë, është shkrimi i Kurtit se 45% e popullit të Kosovës janë analfabet funksional.

“E kam pas analizu një dokument, një lloj platforme të shkruar nga z. Kurti në vitin 2016, se si duhet Vetëvendosje të arrijë në pushtet, por paraprakisht qysh duhet të punojë. Më ka bërë shumë përshtypje ai dokument. Jo publik. Ai dokument i është dorëzuar nga z.Kurti një pjesë të ngushtë të anëtarëve, përfshirë Visar Ymerin, Zgjim Hysenin dhe të tjerët që janë në VV, asnjëri nuk e ka miratuar atë dokument, atë platformë se si duhet të ecet përpara. Përveç disa elementeve që ta krijon përshtypjen jo të një subjekti politik, por të një shërbimi sekret inteligjent, i ka këto elemente. Më bën përshtypje shumë ku z. Kurti vetë e thotë në atë dokument që 45 % e popullit të Kosovës janë analfabet funksional. Mua më ka shqetësuar shumë ky detaj, për dy arsye. E para që, përqindja e analfabetëve funksional është shumë e madhe dhe e dyta, mënyra se qysh z. Kurti dëshiron të punojë me këtë kategori të njerëzve”, ka thënë ai në emisionin “Prizma” në T7.

Sipas Kajtazit, themelet e lajmit të rrejshëm në Kosovë i ka vendosur Lëvizja Vetëvendosje.

“Ai nuk thotë aty se ne duhet të punojmë që këta njerëz me i zhvillu me i emancipu, po ai thotë me i manipulu, e qysh manipulohen kta, thotë me lajme të rrejshme, është me dokument, me lajme të rrejshme, sepse kjo kategori njerëzish nuk arrijnë me e dallu lajmin e vërtetë me lajmin e rrejshëm. Dhe lajmi i rrejshëm ka lindur prej Vetëvendosjes, në Kosovë themelet e lajmit të rrjeshëm i ka vendosur Vetëvendosje”, ka thënë Kajtazi.

Ndryshe, më 14 shkurt të këtij viti Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku fitore ka arritur VV-ja me 50.28 % të votave, e kryeministër është zgjedhur Albin Kurti.