Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga kandidatura për kryetar të LDK-së në zgjedhjet partiake të së shtunës.

Ai ka thënë se Kuvendi i Nëntë Zgjedhor është ngjarje e rëndësishme jo vetëm për LDK-në, por për të Kosovën.

Tutje ai u është kundërpërgjigjur atyre që kanë thënë se mund të ketë karrige të shtunën e 3 gushtit.

Ai ka thënë se pas këtij Kuvendi LDK do të dalë e fortë dhe unike, ndërkaq ka shtuar se në zgjedhjet e shtatorit kjo parti do të jetë e para.

Ka komentuar edhe koalicionet e mundshme, duke thënë se LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë.

Postimi i plotë i Isa Mustafës:

Të nderuar qytetarë
Më 3 gusht të këtij viti, LDK mban Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është një ngjarje e rëndësishme. Është, domosdo, e rëndësishme edhe për Kosovën nga se LDK është parti lidere në vend, jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet.
Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëritjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brënda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së.
LDK nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie. Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike.
LDK do të dal e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. LDK do të dal e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë. IM

loading…