Flet babai i nxënësit të plagosur në Gllogjan, tregon gjendjen e tij shëndetësore

Kanë kaluar më shumë se dy javë nga rasti tragjik në Gllogjan, ku pas një sulmi me armë në drejtim të autobusit mbetën të vrarë tre persona, dy nxnënës dhe shoferi. Autobusi që udhëtone në linjën Gjakovë-Gllogjan, barte dhjetra nxënës të shkollës së mesme, ku dy prej tyre mbetën të vdekur nga ky sulm makabër.

Plumbat e armës kallashnikov, ishin vdekjeprurës për shoferin e dy nxënësit, mirëpo një nxënës tjetër mbeti i plagosur.

E familjarët e nxënësit që u plagos në këmbë nga fshati Dubravë i Deçanit, kanë folur eksluzivisht këtë të hënë për Gazetën Demos, ku kanë treguar gjendjen e tij shëndetësore.

“Gjendjen shëndetësore e ka të mirë, ka filluar nga pak me lëshu këmbën në tokë, në atë mbrëmje ja kanë hequr plumbin mjekët”, është shprehur babai i Fliantit, Afrim Turkaj.

Ai tutje është shprehur se djali i tij që është edhe nxënës i vitit të parë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” në Gjakovë, nga trajtimi që po merr nuk po mundet me i vazhdu edhe mësimet, mirëpo edhe mësuesit sipas tij po e ndihmojnë në këtë drejtim.

“Në shkollë nuk po mundet akoma me shku, por mësuesit po i ndihmojnë e po ja përcjellin mësimet në forma të ndryshme, në bazë të atyre po mëson edhe djali”, është shpehur Turkaj.

Babai i nxënësit të plagosur ka thënë që nga ajo mbrëmje askush nuk është interesuar për gjendjen e djalit të tij.

“Që nga ajo natë, askush nuk është interesuar për gjendjen e djalit, e tonën familjarisht”, ka përfunduar ai.