Më 24 shkurt të këtij viti, në kompaninë e derivateve të naftës ‘Lab Oil’, humbi jetën tragjikisht 21 vjeçari, Krenar Jemini.
Inspektoriati i Punës kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe dje ka publikuar raportin të cilin e ka përpiluar në bazë të inspektimit të vendit të punës ku edhe ka ndodhur rasti.
Sipas raportit, Inspektoriati ka gjetur fajtor punëdhënësin, në këtë rast kompaninë ‘Lab Oil’, transmeton Ballkani.info.
Në kontratën që 21 vjeçari kishte me kompaninë në fjalë, janë gjetur mangësi të shumta.
Përshkrimi i vendit të punës, sipas raportit të Inspektoriatit nuk ishte i saktë si dhe kontrata nuk ishte e nënshkruar nga asnjëra palë.
Ballkani.info ka kontaktuar me babain e të ndjerit, Emin Jeminin, i cili ka thënë se është në dijeni për publikimin e raportit të Inspektoriatit të Punës, por nuk ka dashur të komentojë gjetjet e këtij raporti.
Tutje, Jemini ka shpjeguar se familja nuk kishte qenë në dijeni për rrezikshmërinë e punës së djalit të tyre, tashmë të ndjerë.
“Jo ne nuk kemi qenë në dijeni se në çfarë kushte ka punuar djali por as ai personalisht nuk është ankuar asnjëherë për vendin e punës”, ka thënë ai për Ballkani.info.
Drejtori i kompanisë së derivateve ‘Lab Oil’, Bislim Muqaj, ishte kontaktuar nga Ballkani.info në ditën kur kishte ndodhur rasti dhe kishte deklaruar se në emër të kompanisë, ai do t’i mbulojë familjes Jemini shpenzimet mortore dhe disa ndihma të tjera financiare.
Nga ana tjetër, babai i të ndjerit ka deklaruar se përpos shpenzimeve mortore, familja e tij nuk kanë marrë ndonjë ndihmë tjetër financiare nga kompania në fjalë.
Ballkani.info ka provuar të kontaktojë përsëri me pronarin e ‘Lab Oil’, i cili ka thënë se është në drekë, por nuk është lajmëruar më (deri në momentin kur ky lajm është publikuar). /Ballkani.info/







