Flet babai i kosovarit që u ther për vdekje në Gjermani: Nuk kishte probleme me askënd

Babai i kosovarit nga Prizreni që ka vdekur në Gjermani ka thënë se djali i tij asnjëherë nuk ka treguar se ka pasë probleme me ndokënd.

28-vjeçari ka vdekur pasi është therur me thikë nga kolegu i tij në vendin e punës, të shtunën në Nymphenburg të Munchenit.

Për Klan Kosovën, babai i të ndjerit ka deklaruar se ai asnjëherë nuk ka dhënë shenja se kishte pasë konflikte të vogla apo të mëdha me ndonjë person apo edhe kolegë të punës.

Kosovari punonte murator në sektorin e ndërtimtarisë për tre vite në Gjermani, të njëjtën punë e kishte bërë edhe në Kosovë më parë.

Ai u godit me thikë nga një koleg i tij shqiptar dhe si pasojë e plagëve të rënda edhe pas operimit nuk arriti të iu bëjë ballë plagëve.