Flet babai i Alvinit: E vërteta e lajmit për nxjerrjen e tij nga kampi

Ditën e martë u raportua në media se 11-vjeçari shqiptar, Alvin Berisha, ishte nxjerrë nga kampi famëkeq Al Hol në Siri, ku qëndronte prej kohësh. Por ky lajm është përgënjeshtruar nga babai i Alvinit, Afrim Berisha, i cili në disa komente në “Facebook” u është përgjigjur miqve dhe të afërmve që kanë postuar në profilin e tij lajmin për shpëtimin e të birit, duke treguar si qëndron e vërteta.

Ai shkruan se Alvini ndodhet ende në kamp, ndërsa kërkon të mos jepen lajme false për të birin. Afrim Berisha thekson se do të lajmërojë vetë për çdo zhvillim të mëtejshëm që do të ndodhë me çështjen e Alvinit. Babai i 11-vjeçarit shton se është duke u marrë me disa dokumente.

“Nuk është e vërtetë që Alvin është jashtë kampit. Alvin është akoma në kamp. Mos jepni lajme të kota ok shumë faleminderit. Nuk është e vërtetë, Alvin është akoma në kamp mos jepni lajme fallso faleminderit shumë. Vëllezër, motra nëna e baballarë miq e shok mos i besoni kujt për lajmin që u dha nuk është i vërtetë. Prisni nga unë, jam duke u marrë me letra akoma ju përshëndes nga larg shumë faleminderit, Zoti ju ruajtë!” – shkruan Afrim Berisha

Historia e dhimbshme e Alvin Berishës preku zemrat e mbarë shqiptarëve dhe italianëve, pasi u transmetua rreth një muaj më parë në emisionin investigativ “Le Iene” në Mediaset. 11-vjeçari u mor nga nëna e tij në Siri 5 vite më parë.

Ajo vdiq në luftë gjatë bombardimeve së bashku me një luftëtar të ISIS me të cilin ishte martuar. Në këtë sulm mbeti i plagosur edhe Alvini, i cili mori fraktura të rënda në këmbë. Stafi i emisionit italian bëri të mundur takimin babë e bir pas 5 vitesh, por Afrimi nuk mundi dot ta marrë me vete djalin e tij.

loading…