Bastisja

Flet avokati i Sylejman Selimit, tregon pse u bastis shtëpia e tij nga Specialja

Artan Qerkini, avokat i ish komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka folur pas bastisjes së shtëpisë së klientit të tij nga Prokuroria Speciale.

Qerkini ka thënë se Sylejman Selimi nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, por që brenda shtëpisë së tij ka mundur të ketë dëshmi që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.

“Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar. Por sipas urdhërit të gjykatës, mendohet se në shtëpisë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, ka thënë Qerkini.

Sipas Qerkinit, ata kanë vërejtje për mënyrën se si është bastisur shtëpia e Selimit.

Ai thotë se në këtë mënyrë nuk është dashur të bëhet bastisja, përderisa klienti i tij nuk është në cilësinë e të dyshuarit.

“Ne i kemi disa vërejtje në vetë urdhërin. Mendojmë që nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe I cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave, sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.