Ambasada Amerikane

Flet Ambasada Amerikane pas kalimit të projektligjeve për Ushtrinë

Në përpjekjet për të formuar ushtrinë e Kosovës, e involvuar ngushtë ka qenë SHBA. Ushtria nuk po bëhej pa bekimin e saj. Kryeministri Ramush Haradinaj kishte ardhur plot shpresë për ushtrinë pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Matiss. Një ditë miratimit të tri projektligjeve për transformimin e FSK’së në ushtri, Ambasada amerikane në Prishtinë për Gazetën Express ka dhënë komentin e saj
SHBA këmbëngulte që ushtria e Kosovës të bëhej vetëm sipas ndryshimeve kushtetuese, në të cilën me patjetër do të nevojiteshin votat e Listës Srpska.

Kjo ishte arsyeja që çoi drejt dështimit një projektligji që e Presidenti Hashim Thaçi e dorëzoi në Kuvend marsin e vitit të kaluar.

Megjithatë, qëndrim kundërshtues nuk ka tash kur në Kuvendin e Kosovës u miratuan në lexim të parë tri projektligjet, ai për transformimin e Ministrisë së FSK’së në Ministri të Mbrojtje; projektligji për Forcën e Sigurisë dhe projektligji për shërbim në FSK.

Ambasada amerikane, në një përgjigje dhënë Gazetës Express, një ditë pas kalimit të projektligjeve, thekson se SHBA do të vazhdojë të përkrah transformimin e FSK’së në ushtri.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale”, thonë nga ambasada amerikane.

Ndërkaq, përfaqësuesit serbë në Kuvend vazhdojnë ta kundërshtojnë kategorikisht secilën tentativë që Kosova të bëhet me ushtri. Kosovën e përgatitur ushtarakisht, e quajnë kërcënuese për banorët serbë.

E, ambasada amerikane kërkon nga liderët kosovarë që të japin garancinë se procesi transformues i forcave të sigurisë do të përfshijë e do të përfaqësojë të gjithë.

“Nxisim udhëheqësit politikë të Kosovës që të sigurojnë që procesi të vazhdojë në një mënyrë përfshirëse dhe shumë të kujdesshme që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që është e koordinuar ngushtë me aleatët nga NATO-ja”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili para një muaj rinisi procedurat për transformimin e FSK’së në ushtri, pati deklaruar se sekretari amerikan i Mbrotjes, James Mattis, i ka dhënë lejen Kosovës që të vazhdojë para me procesin e formimit të ushtrisë.

Haradinaj takimin me Mattisin e zhvilloi derisa po qëndronte në Nju Jork gjatë javës së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Siç ka treguar Kryeministri në emisionin Pressing të T7, sekretari amerikan i Mbrojtjes ka pasur para vetës tri projektligjet për transformimin e FSK’së dhe është pajtuar me to.

Një nismë për formimin e ushtrisë e pati edhe presidenti Thaçi në mars të vitit të kaluar. Pasi ai i kishte dorëzuar projektligjin për Forcën e Sigurisë kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, patën reaguar faktorët ndërkombëtarë.

Pikërisht nga ambasada amerikane deklaronin se përkrahin transformimin e FSK’së në ushtri, por jo sic po tentohej të bëhej nga Thaçi. Njëjtë deklaronte edhe sekretari i përgjigthshëm i NATO’s Jens Stoltenberg.