Flet Agim Veliu: Do të kthehemi triumfalisht në Podujevë në vjeshtën e ardhshme

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka folur sot edhe një herë për humbjen e zgjedhjeve në Podujevë.

“Llapjanët folën dje. Kur flet sovrani të gjithë duhet të heshtin. Dega e LDK-së në Podujevë, që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, e pësoi humbjen e parë në zgjedhje. Është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetar, të palëkundur dhe konsistent, në kohë të vështirë dhe ditë të mira”, ka shkruar ai.

“E çmoj jashtëzakonisht shumë dhe përkulem para këtij besimi që na keni dhënë për gati 31 vite. Këtë besim e kam respektuar dhe do ta vlerësoj përgjithmonë. Koha do ta dëshmojë se propaganda kundër meje dhe LDK-së ka qenë e fabrikuar dhe false. Kundërshtarët politikë ne nuk i konsiderojmë armiq, siç na identifikojnë ata neve. Sot është një ditë reflektimi për neve. Do ta analizojmë me kujdes humbjen në zgjedhjet lokale, do të identifikojmë dhe korrigjojmë mangësitë tona, do ta zgjerojmë ekipin konform nevojave të qytetarëve, për tu rikthyer triumfalisht në Podujevë në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme.

Sinqerisht!”, ka shkruar në fund ai.

Në Podujevë dje fitoi kandidati i VV-së për kryetar komune, Shpejtim Bulliqi. /Ballkani.info/