Flasin nga Trusti: Sot hapet aplikimi, por brenda sa ditësh u dalin paratë në bankë

Pas miratimit të ligjit, sot pritet të bëhet hapi i radhës i munësisë së tërheqjes së 10 për qind të parave nga Trusti Pensional.

111Për ka folur zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, i cili edhe ka bërë të ditura afatet optimale të daljes së parave në bankë, atyre që aplikojnë për tërheqjen e 10 për qind të parave të tyre.

Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka bërë të ditur se të gjithë ata që aplikojnë për këto mjete në ueb faqen e veçantë të krijuar, pagesa nga Trusti do të bëhet 5-7 ditë pas aplikimit

“Ne mund të informojmë për sa kohë ne bëjmë pagesën. Por nuk mund të përgjigjemi saktë sa kohë merr banka për të autorizuar mjetet që të kalojnë në llogarinë e tyre. Aktualisht jemi duke projektuar që pagesat e para do të bëhen brenda 5 deri 7 ditë, prej momentit të aplikimit të kryhen pagesat për ata kontribuues dhe mjetet të u kalojnë në llogari në banka.

Por do të shihet edhe si do të jetë fluksi, sa kontribuues do të aplikojnë njëkohësisht dhe a do të ketë ndonjë detaj teknik që nuk është parashikuar se mund të na shfaqet, por besojmë që nuk do të kemi vështirësi”, shtoi ai.

Demi, duke shpjeguar për mënyrën e aplikimit për tërheqjen e këtyre mjeteve ka thënë se gjithë procedura do të bëhet online dhe se nuk do të jetë e komplikuar.

“Tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti do të bëhet vetëm online përmes internetit duke filluar prej datës 11 dhjetor, e premte prej orës 15:00. Nuk do të ketë nevojë asnjë prej tyre që të aplikojë fizikisht dhe të vijnë të vizitojnë zyrën e Trustit.”

“Procedurat janë të thjeshta dhe gjithçka që duhet është numri personal i kontribuuesve që aplikon me llogarinë aktive bankare në Kosovë dhe këto janë dy informacionet me të domosdoshme për aplikim”.

Sipas tij, ligji parasheh që kontribuuesit të kenë 4 muaj kohë që të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti që i bie deri më datën 6 prill 2021.

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i cili mundëson tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 4 dhjetor. Ky ligj po ashtu parasheh rimbursim të mjeteve të tërhequra nga Qeveria për të gjitha atë që kanë kursime deri në 10 mijë euro.