Flasin nga SBASHK-u, tregojnë se a e pezulluan grevën pas takimit me Sveçlën e Nagavcin

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, sot është ftuar në takim nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku prezente në takim ka qenë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Në takim është diskutuar për kërkesat e SBASHK-ut, të cilët së fundmi kanë paralajmëruar edhe greva nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre në Ligjin e ri të Pagave.

Në një prononcim për lajmi.net, Jasharaj ka thënë se edhe pas takimit me ministrat në fjalë, nuk është marrë ndonjë vendim për pezullimin e grevës, por ka thënë se kjo çështje do të diskutohet me kryetarët e SBASHK-ut në nivele komunale.

“Nuk mund të ju them asgjë për pezullimin e grevës pasi që nuk jam ai që vendosi, tash mbetet të diskutojmë me kryetarët në nivele komunale. Do të shohim nëse takimin e mbajmë nga larg pasi që kryetarët në nivele komunale janë në procese mësimore, ose do të organizojmë takim fizik për të cilin do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se në takimin me ministrin Sveçla, i është premtuar që pas përgatitjes së Ligjit të Pagave, do të zhvillohen takime edhe me Sindikata për tu marrë parasysh kërkesat e tyre.

“Sot kemi zhvilluar takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri kjo që është sponzorizuese e Ligjit të Pagave pas bashkimit me Ministrinë e Administratës Publike. Aty ka qenë prezente edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tek e cila kemi shprehur gjithmonë shqetësimet tona dhe e cila ishte prezente aty për të treguar se është e interesuar që këto çështje të zgjidhen me dialog”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se Sveçla i ka informuar se do të ketë vonesa në hartimin e Ligjit të Pagave për shkak se po punohet në heqjen e defekteve në këtë Ligj.

“Ministri Sveçla ka konfirmuar se është duke u punuar në Ligjin e Pagave por është duke u punuar për heqjen e defekteve që i ka treguar Gjykata Kushtetuese dhe me të hequr këto defekte, Komisioni i formuar i punës do të ketë takime pune me Sindikata ose të gjitha bashkë ose veç e veç për të diskutuar për mendimet e tyre. Sveçla na premtoi që kjo do të ndodh para se version final i Ligjit të Pagave të shkojë në Qeveri për votim dhe pastaj për të vazhduar rrugëtimin drejt procedurave të tjera. Sveçla na tha se kjo kërkon kohë pasi që nuk duan të kenë një Ligj që prap mund të atakohet nga dikush ose të kthehet mbrapsht me vendime eventuale të Kushtetueses. Ne kemi kërkuar nga ministri Sveçla që në leximin e dytë të Ligjin e Pagave të parashihen mjete të mjaftueshme për Ligjin, por ai tha se kjo nuk është kompetencë e tij pasi që vendoset nga Ministri i Financave, deputetët dhe të tjerët”, ka thënë Jasharaj.

Në anën tjetër, Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, ka thënë për lajmi.net se do të ftojnë një takim gjatë kësaj jave me kryetarët e niveleve komunale të SBASHK-ut dhe aty do të diskutohet për rrjedhën e takimeve që kanë zhvilluar deri më tani.

“Ne kemi ftuar një takim për ditën e enjte me kryetarët e niveleve komunale dhe do të diskutojmë për rrjedhën e takimeve që kemi pasur dhe takimet që ndoshta ndodhin gjatë ditës së nesërme”, ka thënë Ymeri.

Ai e ka konfirmuar edhe një herë se ministri Sveçla në takimin e sotëm i ka garantuar se Ligji i Pagave nuk do të shkojë për miratim në Qeveri pa u diskutuar edhe për kërkesat e Sindikatave.

Ymeri ka thënë se pas kërkesës së Sveçlës për mirëkuptim, vendimi për grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u do të merret gjatë ditëve në vijim dhe bashkarisht me kryetarët e niveleve komunale deri ditën e hënë. /Lajmi.net/