Flasin nga Prokuroria: Kryeshefi i AZHB-së, Agim Nuha u lirua, por hetimet ndaj tij vazhdojnë

12 persona u arrestuan dje nga Policia e Kosovës në aksionin e djeshëm në Ministrinë e Bujqësisë. Por njëri prej tyre është liruar.

Sipas burimeve mediatike brenda institucioneve të drejtësisë bëhet fjalë për Agim Nuhën, U.d. të kryeshefit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Se Nuha është liruar e kanë konfirmuar për Reporteri.net Prokuroria e Kosovës.

“Një zyrtar ka qenë i shoqëruar në stacionin policor dhe pas marrjes në pyetje është liruar në procedurë të rregullt, por rasti është duke u hetuar, kurse 11 persona të tjerë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë për Reporteri.

Kujtojmë se Nuha ishte në mesin e 4 zyrtarëve në Ministrinë e Bujqësisë që u arrestuan dje.

Përpos Prishtinës, aksioni u shtri edhe në Istog, Gjilan, Podujevë dhe Lipjan, që rezultoi me 12 të arrestuar në total nën dyshimet për keqpërdorime të fondeve të subvencioneve.

Agim Nuha ishte emëruar në pozitën e U.d. të Kryeshefit në AZHB para një viti nga ministri aktual i Bujqësisë, Besian Mustafa.

Në aksionin që zgjati për disa orë janë sekuestruar mbi 400 mijë euro, disa telefona, vetura dhe laptopë.