Flasin nga LDK për listën e kandidatëve për deputetë, ja çfarë do të ndodhë me kryetarët e komunave

Partitë politike kanë afat deri më 18 janar t’i dorëzojnë listat për deputetë garues në zgjedhjet 2021.

Ndërsa, sot deri në ora 18:00 kanë afat t’i deklarojnë koalicionet e tyre parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të formojë një koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit, mirëpo ende asgjë zyrtare nuk është raportuar.

Rreth listës së kandidatëve për deputetë dhe mundësisë së përfshirjes së kryetarëve komunal në listë ka folur për Ballkani.info Haki Rugova.

Ai thotë se një gjë e atillë nuk është diskutuar ende në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetar i Istogut, Haki Rugova, ka thënë për Ballkani.info, se ai ka dorëzuar në Kryesi propozimet për deputetë, mirëpo në listë nuk e ka përfshirë emrin e tij.

Sipas Rugovës, çështjen e përfshirjes së Kryetarëve të Komunave në listat për deputet, kësisoj edhe për veten e tij nuk e ka menduar.

Por, ai shprehur gatishmëri për çfarëdo vendimi të Kryesisë së LDK-së.

“Ende janë duke u diskutuar emrat e kandidatëve për deputetë, gjithashtu  ideja që kryetarët e komunave të përfshihen në zgjedhje si çështje nuk është diskutuar ende brenda. Unë zakonisht i respektoj vendimet që i merr Kryesia, nëse e kërkon kryesia e LDK-së do të jem aty. Unë kam dërguar propozimet e mia për kandidatët për deputetë, në atë listë nuk është emri im. Mirëpo përsëri e them që vendimin finale edhe për propozimet e mia i merr Këshilli i Përgjithshëm dhe kryesia e LDK-së, deri atëherë mbetet të shihet”, ka deklaruar Rugova për Ballkani.info.

Ai nuk ka treguar për emrat e propozuar për kandidatë, gjersa shton se nuk e ka menduar pjesën që ai të përfshihet si kandidat i mundshëm për deputet.

“Të gjithë kandidatët e propozuar e dinë, shohim atëherë çfarë do të bëhet, janë diskutimet e hapura dhe nuk ka problem. Unë nuk kam ndonjë telashe kështu, të të them të drejtën nuk e kam për propozimin si kandidat i mundshëm, ajo është një çështje tjetër”, ka theksuar Rugova për Ballkani.info.