“Një natë para tragjedisë Kosta ka qenë në festën e ditëlindjes me shokët dhe shoqet e klasës të cilët i ka vrarë. Ai ka qëlluar edhe një vajzë e cila i pëlqente”.

Fqinjët e ndërtesës ku jeton Kosta K. (13), djali që dje vrau tetë shokët e shkollës dhe një roje, dhe plagosi gjashtë nxënës dhe një arsimtare të historisë, janë ende në tronditje të madhe, nuk kanë fuqi të komentojnë tragjedinë e djeshme, shkruan portali serb “nova.rs”.

Siç thotë një fqinj, babai i djalit ishte gjithmonë aty për të gjithë në ndërtesë kur kishin nevojë për ndihmë – si mjek, por edhe si fqinj.

Gjithashtu, djali shpesh ndihmonte, u sillte ushqim fqinjëve.

Megjithatë, ajo që i habit të gjithë është se babai i djalit kishte kaq shumë armë në banesë.

“Kur policia po i nxirrte gjërat nga banesa, thotë se janë gjetur shumë armë”. Në vitin 2016 ka bërë kërkesë për leje për mbajtjen e armëve dhe ma merr mendja se që atëherë ka filluar t’i mbledhë, kushedi se çfarë i ka rënë në kokë”, thotë një fqinj.

Ata flasin për Kostën si një djalë i tërhequr dhe i turpshëm, që nuk shihej me miqtë e tij.

“Gjithmonë ishte vetëm me një grua që kujdesej për ta, sinqerisht nuk e kam parë kurrë me shoqëri. Por e di që një natë para tragjedisë ka qenë në një ditëlindje me klasën e tij, ata që ka qëlluar! Aty ka qenë edhe një vajzë që i pëlqente dhe të cilën e qëlloi”, thotë një fqinj i shokuar, transmeton Paparaci.

Sipas fjalëve të tyre, për babanë e tij kanë ditur aq sa ai iu ka folur, se të afërmit e tij ishin sportistë dhe shkrimtarë të suksesshëm dhe se ai ishte një mjek i respektuar. Megjithatë, askush nuk dinte se ai po shkonte në poligonin e qitjes.

“Ne aq shumë jemi parë dhe kemi folur. Ai kurrë nuk ka përmendur se kishte armë, apo se shkon në poligonin e qitjes. Nuk e di as a do të ketë tani ndonjë përgjegjësi, Kosta sigurisht do të del jashtë, çfarë të bëjmë nëse e shohim këtu… Me siguri ndonjë familje do të dojë të hakmerret”, thotë një fqinj.

Siç thonë në një bisedë për gazetën serbe “Blic”, ata besojnë se familja do të duhet të shpërngulet.

Babai dhe nëna e djalit, thuhet se të dy punojnë në shëndetësi dhe njihen si njerëz të edukuar dhe të sjellshëm.

Sipas fjalëve të tyre, vajza e tyre e vogël tani është diku me nënën e saj.

Asnjëherë nuk ka pasur asnjë problem me ta, përveç se babai ka protestuar kur është dashur të hapet Qendra Ortodokse në ndërtesë, është hapur në të njëjtin kat ku janë ata, atje shkojnë për këshillim njerëzit me varësi. Ai ka protestuar dhe ka shkuar edhe deri te patriarku. Kishte frikë se çfarë njerëz do të hyjnë në ndërtesë, sepse është një qendër këshillimi për ata që kanë varësi nga alkooli dhe droga”, thotë një fqinj.