Flasin bashkëluftëtarët e komandant “Ujkut”, ish-ushtarit të UÇK-së që u arrestua dje nga Specialja

Pjetër Shala u arrestua, të martën, në Liezh të Belgjikës. Kjo me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pasi gjykatësi i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën ndaj tij për krime lufte.

I njohur si Komandant “Ujku”, Shala gjatë luftës në periudha të shkurta kishte shërbyer në disa vende në Zonën e Dukagjinit. Pas Drenocit dhe Gllogjanit, nga kjo e fundit ai ishte dërguar për të shërbyer në Dujakë të Gjakovës në periudhën qershor-gusht të vitit 1998.

Bashkëluftëtarët e tij në këtë fshat thonë se ai ishte i rreptë, por se nuk mbajnë mend ndonjë veprim të keq të tij.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Gani Geci akuzoi Pjetër Shalën se në vitin 2002 ishte munduar të organizojë një atentat ndaj tij dhe Tahir Zemajt.