Qeveria e Kosovës

Flamujt amerikanë në Prishtinë, falënderim për ndihmën e gjithanshme të SHBA-së

Sheshet e kryeqytetit janë stolisur sot me flamuj të SHBA-së, raporton KTV.

Përmes një vendimi, Qeveria e Kosovës ka vendosur ta stolisë sheshin, në shenjë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë për proceset në Kosovë. E gjithë kjo stolisje me flamuj të Amerikës u bë vetëm dy ditë para se Kuvendi të miratojë ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri.

I stolisur me flamuj të SHBA-së, ka zbardhur mëngjesin kryeqyteti në disa lagje të tij.

Shumë flamuj, sidomos në sheshet kryesore të Prishtinës, janë vendosur në shenjë falënderimi të mbështetjes së vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë për Kosovën.

Vetëm dy ditë para se Kuvendi i Kosovës t’i miratojë ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri, sheshi kryesor i kryeqytetit është mbuluar me flamuj të SHBA-ve. Qytetarët thonë se e gjithë kjo është bërë si shenjë falënderimi për SHBA-në e cila, tash e disa vite, ka mbështetur Kosovën.

Ka të tillë që mendojnë se në mesin e këtyre flamujve do të duhej të ishte edhe ai i Kosovës.

Përveç kësaj, ka edhe një arsye tjetër që Qeveria e Kosovës ka dhënë urdhër për vendosjen e flamujve të SHBA-së.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se Kosova do të përfitojë miliona euro nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në kuadër të investimeve strategjike të qeverisë amerikane.

Sipas Gashit, vendosja e flamujve është bërë si shenjë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë në të gjitha proceset që kanë ndodhur në Kosovë.

Një ditë më parë, ishte Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, i cili tha se Washingtoni ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur.

Ndërsa, të premten, më 14 dhjetor, pritet që Kuvendi i Kosovës të miratojë tri ligjet e FSK-së të cilat e transformojnë këtë forcë në Ushtri.