Nexhmedin Saqipi

Fjalimi i presidentit Thaçi në OKB, mirëpritet në Luginë të Preshevës

Presidenti i Republikës së Kosovës, shkëlqesia e tij, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përmes një fjalimi përmbajtësor dhe tejet profesional, të bazuar në argumente, prova dhe dëshmi dha shembullin e një burrështetasi, që di të reflektoj pozitivitet në favor të përmirësimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, në frymën e një dialogu konstruktiv dhe progresiv, përkundër tendencave që ato të mbahen të tensionuara dhe të acaruara në vazhdimësi.

Duke u nisur nga fakti se kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është thirrur nga Serbia dhe Rusia, për t’i bllokuar proceset e Kosovës rreth formimit të ushtrisë dhe rritjes së taksave ndaj produkteve serbe, nga fjalimi epokal i presidentit Thaçi, nxori në sipërfaqe një realitet kosovar, të cilin e përkrahën shumë shtete të botës.

Koordinatori i shoqërisë civile për Luginë të Preshevës, Nexhmedin Saqipi, në një prononcim të tij e vlerësoi lartë diskutimin dhe qëndrimin diplomatik të Presidentit Thaçi, i cili bindshëm i hodhi poshtë përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj Rusisë dhe Kinës, për bllokimin e proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova.

Askush nuk i kërcënon serbët në Kosovë, u shpreh Saqipi, bile as ata në Serbi, që kanë bërë krime lufte ndaj shqiptarëve e nuk kanë marrë dënimin e merituar, kurse akuzat serbo-ruse për formimin e ushtrisë, ai, e pëlqeu konstatimin e Presidenti Thaçi se “Nuk është Ushtria e Kosovës kërcënim për rajonin, janë deklaratat e Serbisë për luftë”.

Pavarësisht, mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, rruga e dialogut duhet të vazhdoj me një dinamikë më të përsosur, në mënyrë që proceset dialoguese të Brukselit, të shkojnë drejt finalizimit, duke ofruar një zgjidhje të qëndrueshme paqësore ne mes Kosovës dhe Serbisë, në favor të përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore me një qasje më konstruktive sa i përket serbëve në veri të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës në jug të Serbisë, të cilët assesi nuk duhet të jen peng dhe monedhë kusuritjeje mes qendrave të vendosjes, ndërshtetërore dhe ndërrajonale, thuhet në prononcimin e Koordinatorit të shoqërisë civile për Luginë të Preshevës, Nexhmedin Saqipi.