Fjalët prekëse të bashkëshortit që humbi sot nga koronavirusi gruan shtatzënë

Pasi që është bërë e ditur se sot ka ndërruar jetë edhe viktima e 13 nga koronavirusi në Klinikën Infektive të QKUK’së, që doli të jetë një grua 40 vjeçare, e cila ishte shtatzënë, për vdekjen e saj ka reaguar edhe bashkëshkorti.

Me fjalë prekëse ai ka zgjedhur që të ndajë në rrjetet sociale mesazhin që i kushtoi gruas së tij tashmë të ndjerë.

“Aq shumë e deshtë jetën asqë luftove deri në momentin e fundit për jetën tande bashkë me jetën e foshnjës në kraharorin tand. Tani me foshnjën tande në parajsë  gëzoni lumturinë e jetës së amshuar. Ishe një grua, nënë, bijë, motër, nuse shumë e qetë, plotë lumturi, dashuri, kujdes për të tjerët. Tani ju, nanë e foshnje, jeni engjëj në qiell, të cilët luteni për ne e na mbroni. Mos na harro”, janë fjalët e dhimbshme që bashkëshorti i së ndjerës i ka shkruar në kujtim të gruas së tij.

Kujtojmë se viktima e sotme nga koronavirusi kishte pasur probleme neurologjike dhe ishte në javën e 28 të shtatzënisë, foshnja e sëcilës ka ndërruar jetë gjatë ditës së djeshme.

Lajmin për vdekjen e kësaj gruaje e ka konfirmuar edhe Klinika Infektive e QKUK’së.

“Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të datës 21.04.2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19. E njëjta, ishte shtatzënë dhe po trajtohej në mjekimin intensiv të klinikës që prej datës 15 prill 2020”, thuhet në njoftimin e Infektives.