Fjalët e fundit të Latif Berishës ishin për Luigj Gurakuqin, vajza e tij tregon si ndodhi vrasja

Në natën e 24 marsit të vitit 1999, në qytetin e Mitrovicës ishte vrarë veprimtari dhe profesori Latif Berisha.

Tani, pas 22 vjetësh, Fatmire Berisha, e bija e veprimtarit, ka treguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja e vrasjes së babait të saj nga forcat serbe. Ajo në Info Magazine ka thënë se babanë e saj e kishin vrarë në pragun e derës së shtëpisë, edhe pse ai kishte refuzuar të largohej.

“Nata e 24 marsit, për ne si shqiptarë është lumturi, pasi iu dha fundi një terrori sistematik që ishte ushtruar mbi popullin e Kosovës. Por, për ne si familje, kjo natë është e dhimbshme, sepse unë, vëllai, gruaja dhe vajza e tij, nuk mund t’i harrojmë ato që kemi parë dhe që i kemi përjetuar në atë natë”.

“Kur kishte ndodhur vrasja ishte një natë e ftohtë, pranvera e kishte harruar qytetin tonë, pasi disa ditë më herët kishin ndodhur masakrime në Mitrovicë. Ne si familje çdo herë kemi marrë provokime, të cilat na kanë shqetësuar vazhdimisht. Këto, i kemi përjetuar nëpërmjet thirrjeve të telefonit, të cilat i merrnim në orë të ndryshme. Ne merrnim telefonata nga “Dora e Zezë” që njihej atë kohë, pos nesh merrnin telefonata edhe aktivistët me të cilët punonte babai im, ata kanë treguar se i kanë pyetur për Latif Berishën”.

“Babai më kishte përgatitur më thoshte se çfarëdo që mund të ndodhte ne nuk duhej të lëviznim asgjë nga vendi, pa u përfunduar ekspertiza, ai më pati thënë se për të gjitha gjërat duhej të bisedoja me avokatin, Rexhep Kaçaniku. Unë e kujtoj dhunën që e patëm përjetuar në shtëpi, babai im zakonisht flinte herët, më së largu ishte ora 22:00. Atë natë, unë dhe vajza ime shkuam në dhomën e tij për fjetur. Nuk e harroj kurrë, babai e piu një gotë ujë dhe më tha që ‘Luigj Gurakuqi, e ka pasë mirë, që në mur e kishte një vend ku e mbante armën’, këto fjalë për mua folën shumë atë natë. Këto më shqetësuan shumë dhe thash se sonte me siguri që do të ndodh diçka, nuk mund të flija”.

“Në ora 23:00, unë dëgjova disa krisma, dhe jam afruar tek shtrati dhe e kam thirrur babanë që të zgjohet, sepse dikush kishte hyrë në shtëpi. Nuk zgjati shumë, menjëherë në dhomë tek ne hyri një person, i cili ishte me maskë dhe në duar i shkruante Policia Speciale e Serbisë. Në momentin kur ky person ishte futur në dhomë ishte ndezur edhe drita, kjo më ngjall disa dyshime, sepse kur patëm ikur për pushime, në televizorin tonë e kemi gjetur një shkronjë “S” që qëndronte, kjo më parë nuk kishte qenë, atë shkronjë ne nuk kemi mundur ta largojmë kurrë, por nga nata e 24 marsit ajo shkronjë ishte larguar. Unë mendoj se ata kishin vendosur përgjues në dhomën tonë dhe na kishin përcjell vazhdimisht”.

“Policia e kishte marrë vëllanë tim e kishte vendosur jashtë si peng dhe ecshin me të sa brenda sa jashtë. Mua, babanë, gruan e vëllait, vajzën time dhe vajzën e vëllait, na kanë shtrirë për toke, asnjë nuk fliste. Babai iu kthye në gjuhën serbe policit dy herë i tha ‘ ju lutem, unë jam këtu’. Nuk shkoi shumë babanë e morën zvarrë, neve na e mbyllën derën, kisha dëgjuar vetëm një bërtitmë, dolëm jashtë dhe pamë tre plumba të shtëna ndaj babait dhe kishte shumë gjak. Ai ishte i kapur në derë, dukej se kishte rezistuar. Unë kam vepruar ashtu siç kishte thënë babai im, një prokurore serbe pati ardhur në shtëpi dhe e pati bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes”.

“Ajo çka më indinjon më së shumti është që deri tani askush nuk është arrestuar dhe nuk dihet asgjë është e pashpjegueshme”, ka thënë Berisha, në fund derisa përfundoi rrëfimin e saj duke qarë me lot.