Fjalët e Feros pas procesit gjyqësor: I lus të rinjtë të mos mbajnë gjëra të jashtëligjshme, të fokusohen te familja t’i lënë problemet

Reperi nga Gjilani, Fero, u dënua me 1 mijë euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësi Avni Syla dhe lidhur me këtë artisti e pranoi fajësinë gjatë shqyrtimit fillestar të mbajtur në po të njëjtën ditë.

Feronit Shabani (emri i vërtetë) po atë ditë ka dhënë një intervistë për Prive ku ka folur gjerë e gjatë për procesin gjyqësor.

Fero (Foto: Instagram)

Ai u shpreh se ndihet i penduar dhe se ky është një kapitull që tashmë është mbyllur, meqë ka ndodhur në vitin 2018 kur ishte edhe shumë i ri.

“Përshtypja ime, është tamam një vend që është dashur të jetë. Unë si çdo i ri, ky është një kapitull në vitin 2018, do të thotë i lus të rinjtë që mbajnë sende të jo të ligjshme, që të mos mbajnë gjëra të tilla me vete, të fokusohen më shumë te familja, t’i duan njerëzit që t’i lënë problemet”, ka thënë ai.

I njëjti në seancë ishte i pranishëm së bashku me ish-menaxherin, Mehmet Elshanin, me të cilin thekson se ruan raporte të mira.

“Unë jam në rregull me të gjithë, une vetëm kam dëshirë të punojë për fansat e mi, të bëj muzikë të mirë nuk kam dëshirë të merrem më me këto gjëra, kjo që kam ardhur këtu është e vitit 2018, ky kapitull është mbyllur në atë vit”, vazhdon reperi.

Fero (Foto: YouTube)

Krahas kësaj, Shabani obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumën 50 euro, si dhe 50 euro tjera për fondin e viktimave të krimit.Të njëjtit gjithashtu i konfiskohet arma e llojit elektroshok.