Raiffeisen Bank ka vendosur që të mos aplikojë asnjë tarifë për transferet që klientët e kësaj banke i dërgojnë si ndihmë në llogaritë zyrtare humanitare të shpallura nga Republika e Shqipërisë.
Ky vendim i bankës erdhi pas reagimeve dhe shkrimeve në media – për tarifat e larta që kjo bankë i aplikoi gjatë ditës.
Një qytetar nga Istogu gjatë ditës i ka dërguar 100 euro ndihmë financiare familjeve të prekur nga tërmeti në Shqipëri, mirëpo ai është shprehur i habitur për përqindjen e lartë të provizionit që ia ka marrë “Raiffeisen Bank” në Kosovë.
N.XH nga Istogu ka shkruar në rrjetin social në “Facebook” se për t’i transferuar 100 euro ndihmë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri, banka komerciale ia ka ndalë hiç më pak se 29 euro, apo rreth 30 % e vlerës së përgjithshme.
“Nga Bankat tona ndodhë edhe kjo. Nga kontributet vullnetare emergjence për ndihëm të prekurve nga tërmeti në Shqipëri ,banka për transferin e asaj ndihmë solide edhe në këto situata të dhimbshme ,për 100€ merr provizion 29 € TURP”.
Banka ka njoftuar se “të gjitha tarifat që janë ndalur për transferet e ekzekutuara në këto llogari humanitare gjatë ditës së martë, me datë 26 nëntor do të kthehen tek klientët”.







