Fitim Uka: 93.2% e nxënësve prej 0-5 vjeç nuk e frekuentojnë edukimin e hershëm

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka deklaruar se rezultatet e fundit të Testit PISA për Kosovën janë reflektim i gjendjes që e kemi në arsim.

“Janë pasqyrimi më i mirë i mundshëm i situatës që e kemi me arsimin në Kosovë dhe fatkeqësisht edhe përkundër shuplakave që na ka dhënë PISA dy herë radhazi, edhe në vitin 2015 edhe në 2018, nuk ka ndodhë shkundje e situatës politike dhe ne vazhdojmë ta kemi të njëjtën situatë”, tha Uka.

Sipas tij edhe rezultatet e Bankës Botërore në hulumtimin e vitit 2020 për arsimin në Kosovë kanë treguar qartë nivelin e arsimimit në Kosovë.

“Për më tepër një nxënës i klasës së 8-të në Kosovë sa i përket njohurive, shkathtësive dhe kompetencave është i barabartë me një nxënës të klasës së 3-të në një vend tjetër dhe nuk është rezultat i keqqeverisjes aktuale por të vazhdueshme ndër vite”, shtoi ai.

Ai shtoi se edhe edukimi parashkollor është shumë i rëndësishëm.

“Fëmijët tanë e nisin shkollën shumë vonë, kontakti i tyre i parë social është shumë i vonshëm vetëm kur atëherë i mbushin 5 apo 6 vjet. Mos të harrojmë i kemi 93.2% të nxënësve prej 0-5 vjeç të cilët nuk frekuentojnë fare edukimin e hershëm dhe hera e parë që socializohen momenti kur i mbushin 5 vite dhe për t’i ndryshuar rezultatet e testit PISA duhet të fillojmë në edukimin e hershëm”, tha Uka më tej.