Fisnik Panxha, ideatori i Festivalit të Gastronomisë, varroset nesër

Ideatori dhe bashkëthemeluesi i Festivalit të Gastronomisë, Fisnik Panxha, që vdiq ditë më parë do të varroset nesër pasdite në varrezat e Prishtinës.

Njoftimin e ka bërë vëllai i tij Astrit Panxha, drejtor i Klubit të Prodhuesve, në emër të familjes.

Ai ka bërë edhe një postim emocional për vëllain e ndjerë për të cilin thotë se ishte gjithmonë i buzëqeshur dhe miqësor.

Fisnik Panxha ka vdekur më 31 korrik në një spital në Zvicër.

Njoftimi i plotë i familjes Panxha:

Të dashur familjar, miq dhe dashamirë,

Me zemër të thyer ju njoftojmë se shpirti i bardhë i Nikit na ka lënë. Ai do të mbahet mend nga të gjithë si një burrë i fortë, gjithmonë i buzëqeshur dhe miqësor.

Niki ishte një super babë për Dominikun dhe Eliotin, ku deri në momentin e fundit dha gjithçka për ta! La pas dy djem të dashur dhe të edukuar. Ata janë krenaria dhe drita e syve të Nikit!

Niki ishte një partner i përkryer për Brikenën, ku ndanë të mirat e të këqijat deri në momentin e fundit së bashku!

Niki ishte një djalë i shkëlqyer dhe i kujdesshëm për nanën, Ymën!

Niki ishte një vëlla që gjithmonë ishte i gatshëm të përkrah motrën Aritën dhe vëllain Astritin. Që në moshë të re ai sakrifikoj shumë për ta!

Niki ishte një shok që do të mbahet mend si besnik, shakaxhi dhe i gatshëm që në çdo orë dhe moment ti gostit ata me gatimet e tij fantastike.

Niki i kishte të gjitha tiparet e një djali Fisnik.

Ai na la me 31 korrik ditë e diele në ora 14:10 në spitalin EHC Hopital D’aubonne, Aubonne në Zvicër, ku u trajtua me respekt dhe dinjitet. Niki shkoj si pëllumb i bardhë siç e kishte edhe shpirtin dhe ishte i rrethuar nga më të dashurit e ti.

Përcjellja e fundit e Nikit do të bëhet me datën 4 gusht, e enjte nga ora 17:00 në varrezat e Prishtinës.

Ndërsa e pamja do të bëhet me datën 5 dhe 6 gusht nga ora 9 deri në ora 18 në sallën Cassiopeia, katin e dytë në Hotel Sirius, Rruga Agim Ramadani, Prishtinë.

Me respekt,

Familja Panxha