Elon Musk

Firma e Elon Musk, Neuralink fiton aprovimin për ta testuar çipin e trurit tek njerëzit

Firma e Elon Musk për çipat e trurit thotë se ka marrë aprovimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të kryer testet e saja të para tek njerëzit.

Neuralink, kompania e implanteve dëshiron që të ndihmojë në rikthimin e shikimit dhe lëvizshmërisë tek njerëzit duke e lidhur trurin e tyre me kompjuterët.

Tutje, Neuralink thotë se nuk ka plane të menjëhershme për të filluar rekrutimin e pjesëmarrësve. Ambiciet e mëparshme të Musk për të filluar testet kishin dështuar, ndërsa vetë rregullatori i cili e dha aprovimin nuk e ka komentuar akoma veprimin e tyre, raporton BBC, transmeton Telegrafi.

Një tentim i mëhershëm nga Neuralink për të marrë aprovimin nga FDA-ja ishte refuzuar për shkak të sigurisë, kjo sipas një raporti nga muaji mars i bërë nga Reuters, ku kishte cituar një numër të informatave nga punëtorë dhe ish-punëtorë të kompanisë.

Neuralink shpreson të përdorë mikroçipet e saj për të trajtuar sëmundje të tilla si paraliza dhe verbëria, dhe për të ndihmuar disa njerëz me aftësi të kufizuara të përdorin kompjuterët dhe teknologjinë e telefonave.

Çipat – të cilët janë testuar te majmunët – janë krijuar për të interpretuar sinjalet e prodhuara në tru dhe për të transmetuar informacionin te pajisjet përmes Bluetooth.

Musk i cili gjithashtu më parë kishte sugjeruar se teknologjia e propozuar mund të ndihmonte në lehtësimin e shqetësimeve se njerëzit mund të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale.

Duke njoftuar lajmet e së enjtes në Twitter, Neuralink foli për një “hap të parë të rëndësishëm që një ditë do të lejojë teknologjinë tonë të ndihmojë shumë njerëz”.

Miratimi ishte “rezultat i punës së jashtëzakonshme nga ekipi Neuralink në bashkëpunim të ngushtë me FDA-n”, thuhej në postimin e kompanisë. Neuralink premtoi se “së shpejti” do të ketë më shumë informacion mbi planet për të regjistruar pjesëmarrësit që dëshirojnë të testojnë çipin.

Elon Musk përmes një “postimi” në profilin e tij gjithashtu uroi ekipin e Nueralink për marrjen e aprovimit nga FDA-ja.