Financime greke në Shqipëri, Kotzias tregon si qëndron e vërteta

Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka shpjeguar se si funksionon mekanizmi i fondeve sekrete, temë kjo që është bërë kryefjalë e mediave ditët e fundit, pas lajmeve se Greqia ka financuar portale, gazetarë dhe politikanë në Shqipëri.

Në një intervistë televizive, Kotzias tha se ai si ministër vendosi hartimin e një ligji mbi kontrollin e fondeve sekrete.

Sipas tij, një shërbim i ministrisë bën propozimin se ku duhet të jepen dhe propozimi t’i shkojë parlamentit.

“Fondi do të mund të tërhiqet nga llogaria bankare vetëm nëse do të ketë vendime të veçanta nga parlamenti për secilin nga propozimet”, tha Nikos Kotzias, ndërsa shtoi se kjo garanton se “nuk kalon asnjë ‘grosh’ nga ministri apo kryeministri.

Duke shpjeguar se si procedohet më tej, ish ministri i jashtëm grek tha se komisioni merr vendim me shkrim dhe i dërgon dokumentet në parlament dhe pasi miratohen, atëherë i merr paratë ministria e jashtme, nuk i merr ministri i jashtëm, nuk kalojnë nga xhepi i tij. I merr drejtoria përkatëse.

Kotzias i ka quajtur të rreme publikimet se fonde sekrete janë dhënë edhe në Shqipëri. “U bë një lajm i rremë, se shkuan fonde në Shqipëri”-tha ndër të tjera Kotzias.