Lista Serbe

‘Filmi’ i radhës nga Lista Serbe: E bojkoton referendumin për largimin e kryetarëve në veri

Referendumi i caktuar për datën 21 prill ku do të votohet për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të Kosovës, duket se mund të dështojë.

Është Lista Serbe e cila me një konferencë për media ditën e sotme, ka zgjedhur ta bëjë ‘filmin’ e radhës. Kjo duke mos përkrahur referendumin, ani pse largimi i kryetarëve shqiptarë ka qenë kërkesë thelbësore e tyre.

Në këtë konferencë, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, deklaroi se fajtori kryesor për këtë situate është kryeministri, Albin Kurti.

Elek theksoi gjithashtu se janë planifikuar procedura të pamundura për votimin për zëvendësimin e kryetarit të bashkisë më 21 prill. Të dhënat thonë se në veri janë 46.248 votues dhe sipas udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të dalin 50 për qind e votuesve plus një votë.

“Në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësuesit e rajonit të Quintit dhe ambasadorët, kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk e ruajnë gjendjen e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve nga veriu i Kosovës janë shpërngulur, për fat të keq nuk kemi hasur në mirëkuptim”, tha Elek.

Ai gjithashtu theksoi se listat e votuesve nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren. Kohët e fundit, Elek ka thënë se është rritur numri i shqiptarëve nëpër lista zgjedhore. Megjithatë, për këtë, ai nuk dha asnjë provë.

“Është e palogjikshme që kanë lënë të përditësohet lista zgjedhore për një ditë pas vendimeve të Kolegjit të Apelit të Kosovës se a do të pranohen ankesat individuale, ndërsa peticionin tonë e kanë kontrolluar për 45 ditë. Imagjinoni bashkëqytetarët tanë të vjetër që nuk jetojnë këtu dhe kush do të aplikojë online, duhet të jenë kaq të arsimuar në kompjuter, ndoshta edhe më shumë se ne, që të kenë sukses të aplikojnë. Ja ku humbasim një numër të caktuar votuesish”, tha Elek.

Eleku tha gjithashtu se një numër i madh i politikanëve shqiptarë dyshojnë nëse referendumi është një çështje e rregullt.

Ai po ashtu ka theksuar se nuk ka parë asnjëherë votim me kamera në referendum.

“Unë nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave. Propozimi është që referendumi të mbahet në shkollat ​​që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, prandaj huazuan një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri, me të drejtë populli shtron pyetjen se çfarë do të bëjnë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, tha Elek.

Elek ka bërë një ‘film’ tjetër duke theksuar se kamerat do të vendosen në mënyrë që serbët që marrin pjesë në këto votime sipas tij, më pas të keqtrajtohen nga institucionet.

Ai është veçanërisht i shqetësuar se qytetarët në Leposaviq po kërcënohen me refuzim të përfitimeve sociale dhe pensioneve nga autoritetet.

“Kamerat vendosen për vetëm për presion e keqtrajtime”, tha ai.

Ndryshe, më 21 prill është paraparë të votohet për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat e veriut.

Për të pasur sukses referendum, duhet të votojnë pro mbi 50% e qytetarëve.

VIDEO BONUS: