Filmi ‘Gjyshja’, Eduart Grishaj: Këshilla e Gjergj Xhuvanit dhe deklarata e fortë për Arbanën

Ditën e sotme regjisori i talentuar, Eduart Grishaj ka prezantuar për të gjithë publikun premierën e filmit të tij të shkurtër me titull ‘Gjyshja’. Me anë të një fjalimi të mbajtur plot me emocione, Edi tregoi se si arriti të gjente një histori shqiptare për ta kthyer në film. Ndër të tjera Grishaj shtoi se për realizimin e ‘Gjyshja’ u frymëzua nga profesori i tij, Gjergj Xhuvani, të cilit i dedikoi dhe fjalët më të ndjera.

“Faleminderit shumë që keni ardhur sonte të shikojmë filmin bashkë, falënderoj gjithë stafin që më ndihmoi për realizimin e këtij filmi. Jam shumë mirënjohës aktorëve që më profesionalizmin e tyre ma bënë punën më të lehtë dhe siç më shkruante dhe im atë: “Këtë film e kemi bërë me shumë dashuri” dhe vërtet ashtu është bërë, kjo dhe si meritë e vendit në të cilin xhironim në malësinë e madhe, vend i cili ka ndodhur dhe ngjarja vërtet, nga e cila jam inspiruar. Kur kam qenë në hapat e para të hulumtimit të një filmi, me një histori shqiptare kam biseduar me shumë persona, përfshirë këtu edhe profesorët e mi të universitetit të arteve të masterit, por po e veçoj një bisedë me njërin i cili nuk është këtu me ne sonte, me profesor Gjergj Xhuvanin i cili më thoshte: “Edi mos shko shumë larg për të kërkuar një histori për filmin tënd sepse çdo njeri e ka nga një histori dhe dramë brenda shtëpisë së tij, e çdo regjisor që ka ambicie për t’u bërë i madh mund ta kthejë atë në film””, pohoi Grishaj gjatë fjalimit.

Përveç kësaj Edi shtoi se një nga njerëzit që e udhëheq drejt gjërave të mira është Arbana Osmani. “Nëse unë kam një gjë të mirë, ajo është Arbana Osmani”, përfundoi regjisori i filmit ‘Gjyshja’.

Projekti kinematografik u prit mirë nga i gjithë publiku, i cili e duartrokiti punën e fortë të të gjithë aktorëve pjesëmarrës në të.

loading…