Në Beograd ka filluar takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova. Një nga temat kryesore është mbajtja e zgjedhjeve në veri të Kosovës të planifikuara për 23 prill.
Në takimin në “Pallatin e Serbisë” po marrin pjesë i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, nënkryetari i SL Igor Simiq dhe përfaqësues të tjerë të asaj partie Ivan Todosijeviq, Milan Radoiçiq dhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.
Takimi ka nisur pak pas orës 13:00. Pas takimit është paralajmëruar një konferencë për media.
Lista Serbe nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje në katër komuna në veri të Kosovës.
Në këtë takim, siç shihet edhe në foto, po merr pjesë edhe krimineli kryesor nga veriu i Kosovës, Milan Radoiçiq, i hetuar, akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe njeriu që është në listën e zezë të SHBA-së.







