Fillon procesi gjyqësor kundër kryeministrit izraelit

Avokatët e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, do ta nisin sot paraqitjen e argumenteve të tyre kundër akuzave për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit ndaj klientit të tyre.

Seanca e së mërkurës do të jetë e mbyllur për publikun dhe është rezultat i hetimeve që kanë filluar para tre vjetësh. Ajo po mbahet në një kohë të vështirë për liderin me karrierë të gjatë në pushtet. Netanyahu në të njëjtën kohë po lufton për mbijetesë politike për shkak të rezultatit të ngushtë në zgjedhje.

Mbijetesa politike e tij është e lidhur edhe me lirinë e tij personale pasi aleatët e tij në kuvend kanë thënë se do t’i mbështesin ligjet që i sigurojnë imunitet kryeministrit, nëse Netanyahu vazhdon të mbetet në pozitën e shefit të qeverisë.

Vetë kryeministri i ka mohuar të gjitha akuzat, për të cilat ka thënë se janë të motivuara politikisht për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Megjithatë, prokurori i përgjithshëm i Izraelit, Avichai Mandelblit, dhe policia kanë lënë të kuptohet se ka gjasa që ndaj kryeministrit të ngrihet aktakuzë në tri raste të ndryshme për mashtrim të shumëfishtë dhe shkelje të besimit, shkruan “The Guardian”.

loading…