SHBA

Fillon operacioni i shpëtimit për gjetjen e katër trupave të humbur nga shembja e urës në Baltimore

Një operacion shpëtimi ka filluar për të larguar rrënojat e urës së Baltimores në SHBA në një përpjekje të parë drejt rihapjes së portit jetik dhe gjetjes së trupave të katër punëtorëve që supozohet se kanë vdekur.

Bëhet e ditur se pjesë e operacionit janë shtatë vinça lundrues, duke përfshirë më të madhin e bregut detar të Atlantikut, tetë anije shpëtimi dhe pesë varka, së bashku me ekipet e inxhinierëve.

Ndryshe, struktura u shemb brenda pak sekondash pasi u godit nga anija 300 metra e mallrave Dali, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Tashmë, ekspertët po përpiqen “të thyejnë pjesët e saj të mbetura në madhësi të duhura për t’i larguar”, ka njoftuar admirali i Rojës Bregdetare të SHBA-së, Shannon Gilreath.

“Të shkosh atje dhe ta shohësh nga afër, e kupton se sa e frikshme është kjo detyrë”, tha guvernatori i Maryland, Wes Moore.

Gjithashtu, guvernatori theksoi se mbeturinat kanë bllokuar qarkullimin e anijeve në port dhe kanë penguar kërkimin për punëtorët e zhdukur.

Edhe pse kërkon kosto të lartë, bëhet e ditur se departamenti i i transportit të vendit po planifikon rindërtimin e urës me dizajnin, inxhinierinë dhe metodat inovative që kërkon ajo për ndërtim.

Bëhet e ditur se Shtëpia e Bardhë ka miratuar 60 milionë dollarë ndihmë të menjëhershme dhe presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se qeveria federale do ta paguajë koston e plotë të rindërtimit të urës.