Limaj e Shala

Fillon ndërtimi i zonës ekonomike në Suharekë (FOTO)

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, gjatë përurimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e infrastrukturës fizike të zonës ekonomike në Shirokë të Suharekës, siguroi të gjitha bizneset se do të punojë shumë në krijimin e kushteve që ta kenë sa më te lehtë të bërit biznes.

Ai theksoi se investimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë prej 2.4 milionë eurosh në zonën ekonomike të Suharekës bën kompletimin e infrastrukturës fizike dhe funksionalizimin e tërësishëm të saj.

“Ky është investim i MTI-së, që kap vlerën prej 2.4 milionë euro dhe me këtë do të përmbyllet e gjithë infrastruktura fizike e parkut të biznesit në Suharekë. Unë sot përmes jush dua t’i siguroj të gjitha bizneset për përkushtimin tim dhe të MTI-së, që bizneseve do t’u ofrojmë kushte që ta kenë më të lehtë të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë ministri Shala.

Ndërsa zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, theksoi se Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin për parkun e biznesit, dhe sipas tij, po përmbyllet një projekt që është promotor i zhvillimit ekonomik të Suharekës, por edhe i regjionit të Prizrenit.

“Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin për parkun dhe zyrtarisht do të përfundojë një herë e mirë dhe dhe të krijojë qasje në autostradë. Ndihem krenar që sot kemi ardhur me e përmbyllë një projekt të madh që është promotor i zhvillimit jo vetëm i Suharekës, por edhe i gjithë regjionit të Prizrenit,” theksoi Limaj, thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.