Fillon grumbullimi për tjetër protestë në Beograd

Para Kuvendit të Serbisë dhe në një park në afërsi ka filluar mbledhja e qytetarëve që përmes rrjeteve sociale janë ftuar që të protestojnë.

Në dy netët e kaluara ka pasur protesta të dhunshme në kryeqendrën e Serbisë. Fillimisht qytetarët kishin dalë në protestë për të kundërshtuar masat e autoriteteve serbe në luftë ndaj koronavirusit, që ishin bërë të ditura nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ka pasur përleshje me policinë e po ashtu dhunë të policisë ndaj qytetarëve. Videot me dhunën e policisë kanë bërë bujë në rrjetet sociale.

Sipas “b92.net”, është bërë thirrje që protesta e së enjtes të bëhet duke qëndruar ulur. Është njoftuar për mbledhjen e qindra protestuesve dhe për forca të mëdha të policisë rreth Kuvendit.

Po protestohet edhe në qytete tjera të Serbisë.