Kandidatja për deputete nga radhet e koalicionit AAK-PSD, Fiknete Bejta i ka renditur tri arsye sipas të cilës duhet votuar ky koalicion më 6 tetor.
Postimi i plotë:
Janë tri arsye të forta pse duhet të votohet koalicioni AAK-PSD në ditën e 6 tetorit:
1 – Guximi
Koalicioni ynë, i udhëhequr nga Kryeministri Haradinaj, e ka guximin e plotë për t’i thënë jo projekteve të rrezikshme që e cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, sepse kur bëhet fjalë për interesin kombëtar, Haradinaj nuk shantazhohet e as nuk joshet me asgjë. Po ashtu, Haradinaj ka dëshmuar tashmë se nuk ngurron të marrë vendime të mëdha kur është momenti dhe nevoja, si ato që janë endur sirtarëve të institucioneve për vite me radhë. Vendimet për Ushtrinë, Trepçën e Prishtinën kryeqytet, janë tre shembujt më të mirë.
2 – Dija
Jemi koalicioni i parë që ka prezantuar një program të vërtetë, të ndërtuar mbi ekspertiza të njerëzve profesionistë. Programi ynë, përbën analizën më të spikatur të situatës ekonomike, sociale dhe politike në Kosovë, duke ofruar edhe zgjidhjen adekuate përmes pikave programore. Është program që ka në fokus mirëqenien, përmes mbështetjes së sektorit privat. Hapja e vendeve të reja të punës, përmes ndryshimit të politikave tatimore dhe përmirësimit të hapësirës të të bërit biznes, është qasje e paalternativë për ta bërë Kosovën të jetueshme.
3 – Përkushtimi
AAK, por edhe PSD, kanë njerëz të përkushtuar, të devotshëm ndaj punës, shtetit e atdheut. Kryeministri Haradinaj, në 18 muaj qeverisje, nuk ka lënë gurë pa lëvizur për ta mbrojtur shtetin në njërën anë, e për të çuar përpara vendime të rëndësishme në anën tjetër. Koha është që këtë përkushtim ta kemi edhe për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shtetit tonë.
54 është numri im në Listën e Koalicionit AAK-PSD. 100% Kosovë, asgjë më pak!







