Fiknete Bejta kandidate për asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e AKR-së

Fiknete Bejta është kandidate për asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinët nga radhët e Aleancës Kosova e Re.

Ajo këtë e bëri të ditur përmes një shkrimi në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, ku tha se i gjithë përkushtimi i saj profesional e intelektual i është dedikuar Prishtinës.

“I gjithë përkushtimi profesional e intelektual, por edhe vet jeta ime i është dedikuar Prishtinës, qytetit tim, kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Nuk ka më mirë se të punosh për shtëpinë e për komunitetin ku përket, prandaj në fund të mandatit të parë si asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ndjehem shumë mirë dhe krenare që me aq mundësi sa ka një asambleiste e pavarur, iniciova projekte që e bënë dhe do ta bëjnë më të mirë Prishtinën tonë”.

“Do të veçoja me krenari nismën time në Komunë për restaurimin dhe konservimin e shtëpisë së Mulla Ademit, që tutje do të bëhet muze i luftës, nismën për përfshirjen e fshatit Prapashticë në linjën e rregullt të Trafikut Urban, nismën për ndarjen e hapësirë për ndërtimin e Pllakës Përkujtimore për viktimat e luftës të Sofalisë e Toukbashqes, si dhe nismën për ndërtimin e Memorialit Përkujtimor për Masakrën e 1921 në Prapashticë dhe Keqekollë”, tha ajo.

Bejta tregoi se kjo nuk është hera e  parë që po i hyn një gare të tillë.

“Garës për Kuvend Komunal po i hyj edhe njëherë. Dëshiroj t’ju njoftoj se Lista e Selim Pacollit, duke respektuar punën time në Kuvend Komunal, më ka ftuar që të garojmë së bashku në zgjedhjet lokale që po vijnë, me numrin #2 në listë. E njoh nga afër përkushtimin dhe zotësinë e z. Pacolli, prandaj nuk hezitova që të jem pjesë e këtij ekipi, që pas datës 17 tetor do të bëhet udhëheqja e re e Prishtinës, për t’i gjetur zgjidhjet problemeve të shumta në kryeqytet”

“Unë ia kam shprehur z. Pacolli disa prej objektivave kryesore që duhet t’i arrijmë me qeverisjen e re në Prishtinë, siç janë zhvillimi i një strategjie për zhvillimin e turizimit dhe agroturizmit, gjithëpërfshirja e shërbimeve shëndetësore duke shtuar orarin e QKMF-ve, sigurimin e punës praktike për shkollat profesionale, hartimi i rregullores për arsim, si dhe intervenimi i shpejtë për ngritjen e cilësisë së arsimit, por edhe ambientit ku zhvillohet mësimi në përgjithësi pastaj prioritet duhet ta kemi shtimin e numrit të çerdheve publikeKa edhe shumë ide e plane të tjera, të cilat do t’i bashkë-diskutojmë gjatë ditëve e javëve të ardhshme. Do të kërkoj mbështetjen tuaj edhe një herë, duke premtuar atë që mund ta realizoj”, shtoi ajo.

Tutje, ajo tha se tashmë e gjeni në Listën e Selim Pacollit te #2.