Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka mirëpritur në një takim zyrtar afaristët e njohur të komunitetit shqiptaro–amerikan, z. Harry Bajraktari dhe z. Rrustem Gecaj. Vizita e tyre në Deçan u vlerësua si një moment i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes.

Ramosaj njoftoi se gjatë takimit i ka informuar mysafirët për zhvillimet e fundit në komunë, projektet prioritare dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Ai theksoi se përvoja dhe sukseset e Bajraktarit e Gecajt në biznes mund të sjellin vlera të reja dhe perspektiva të reja zhvillimore për Deçanin.

Kryetari Ramosaj u shpreh mirënjohës për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që të dy afaristët ia japin vendlindjes, duke vlerësuar rolin e tyre si urë lidhëse mes komunitetit shqiptar në SHBA dhe qytetit të Deçanit.