Fifi vjen sërish me baladë në “Kënga Magjike 2019”

Ajo vitin e kaluar bëri bujë në kompeticionin muzikor “Kënga Magjike” me projektin e përbashkët me Mc Kreshën, “Psikopatja jote”.

Dhe këngëtarja nga Ferizaj, Fifi, është kthyer sërish në këtë garë të madhe me këngë solo të titulluar, “Marova”.

Ky projekt i zhanrit baladë dhe mjaft i veçantë u mirëprit nga publiku dhe vetëm për pak orë ka arritur afro 200 mijë shikime në platformën YouTube.

Melodinë dhe tekstin e ka bërë vet Fifi, ndërsa për orkestrimin është përkujdesur Kledi Bahiti, i cili është një nga bashkëpuntorët e ngushtë të 26-vjeçares.

Në ndërkohë, kënga është punuar në studion e Threedots, atë të kantautorit të njohur Flori Mumajesi.

Vitin e kaluar, çmimin kryesor të festivalit e fitoi Flori Mumajesi, teksa konkurrentë më të afërt për çmimin kryesor ishin Aurela Gaçe me Eli Farën që u renditën në vend të dytë, si edhe Fifi dhe MC Kresha që zunë vendin e tretë.

Presim të shohim sivjet se si do të pozicionohet kjo këngë e artistes Raçi, pasi pritshmëritë janë mjaft të mëdha.